Spitali Memorial i Fierit do u shërbejë falas 540 mijë personave/ Qytetarët për ATSH-në: Kryevepër, fat të mos shkojmë deri në Tiranë

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Spitali Memorial i Fierit është ndërtuar brenda kohës së premtuar dhe pritet të çelë dyert për pacientët në fund të muajit maj. Janë 744 mjekë e infermierë që kanë shprehur interes për të punuar në këtë spital, ndërsa pritet që personeli shqiptar i përzgjedhur të trajnohet nga stafi turk që do punojë pranë spitalit të ri Memorial të Fierit.

Rudina Degjoni, drejtoreshë e Spitalit Rajonal Memorial të Fierit, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se interesi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë për të punuar në këtë spital është i madh.

“Ditën e enjte përfunduam inaugurimin e këtij spitali brenda një afati kohor të premtuar nga qeveria turke, që zgjati rreth 68 ditë. Sot hymë në fazën e dytë, që është dhe faza e trajnimit dhe e përzgjedhjes së stafit dhe personelit shqiptar. Aktualisht kanë aplikuar 774 personel infermieror, mjekë dhe staf mbështetës. Spitali Memorial i Fierit, do të ofrojë të gjitha shërbimet specialistike, sikundër spitali ‘Nënë Tereza’ në Tiranë. Do t’i shërbejë të gjithë pacientëve të Jugut, qarkut Fier, Vlorë e Gjirokastër. Do jenë 540 mijë qytetarë të rajonit të jugut që do përfitojnë shërbimet falas pranë këtij spitali”, – tha ajo.

Sipas Degjonit, “Spitali Memorial i Fierit, ofron të gjitha shërbimet shëndetësore të nivelit terciar, është modern dhe ka të gjitha pajisjet mjekësore të standardit dhe teknologjisë së fundit. Do të ofrojë shërbimet e urgjencës mjekësore 24 orë në shtatë ditë. Do të ofrojë shërbimin ambulator, ndërhyrjet kirurgjikale, përfshirë kirurgji torakale, të përgjithshme, vaskulare dhe shërbime të tjera të mjekësisë interne… etj. Spitali do të ketë një shërbim të kompletuar me diagnozë dhe pajisje mjekësore të teknologjisë së fundit, që do të përfshijë rezonancën manjetike, skanerin, përfshi angiografinë dhe për herë të parë instalojmë në këtë spital dhe aparaturën e re të litotripsit, i cili tashmë ndodhet vetëm në QSUT”, – u shpreh ajo.

“Spitali është menduar të funksionojë në bashkëpunim me menaxherët turq, duke përthithur dhe eksperiencën e tyre më të mirë dhe duke ndihmuar dhe menaxherët shqiptarë, si dhe stafin mjekësor, infermieror, duke marrë eksperiencën më të mirë nga mjekët e infermierët turq”, – tha Degjoni.

“Organika është e miratuar, do jetë një menaxhim mes menaxherëve turq e shqiptarë, ashtu si dhe e mjekëve e infermierëve turq e shqiptarë. Qëllimi dhe objektivi ynë është që ne të përfitojmë të gjithë protokollet mjekësore, infermierore të qeverisë turke dhe t’i zbatojmë dhe në spitalin tonë Memorial. Në shërbimet e spitalit ne do të vendosim si shefa shërbimi mjekët më të mirë turq, profesorë e doktorë të nderuar dhe mjekë specialistë do jenë stafi ynë shqiptar. Me këtë ne do të arrijmë që të zbatojmë protokollet mjekësore, infermierore në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet e kërkuara për shërbimet shëndetësore”, – u shpreh ajo.

“Autonomia spitalore në vetvete, vjen për herë të parë në këtë spital, dhe për këtë ne kemi nevojë për eksperiencën e gjithë menaxherëve turq dhe stafit mjekësor për të përcjellë në vendin tonë se si në shtetin turk ofrohen dhe këto shërbime, duke zbatuar dhe autonominë spitalore dhe duke zbatuar dhe vlerësimin e performancës të stafit mjekësor dhe infermieror. Kjo do jetë diçka e re për ne. Do përpiqemi të zbatojmë praktikat e tyra më të mira dhe në spitalin tonë Memorial. Po ashtu, mjekët dhe infermierët do të vendosen para pikëzimit dhe trajnimit në afat të shkurtër kohor, pasi spitali do jetë funksional nga fundi i muajit maj”, – tha Degjoni.

Spitali Memorial i Fierit është pritur mjaft mirë dhe nga qytetarët, që e quajnë një vepër të mrekullueshme.


“E vlerësoj se është bërë një kryevepër për qytetin tonë dhe për jugun. Me këtë rast përshëndes me shumë zemër Kryeministrin Edi Rama dhe do i uroja suksese dhe punë të mbarë për mandatin e ri. Unë kam qenë për ta parë atje, që ditën e parë kur nisën themelet dhe deri tani që ka përfunduar. Ka 420 punonjës, dhe janë të gjitha mjetet dhe teknologjia e fundit”, – shprehet një qytetar.

“Shumë mirë, sa më shumë të ketë. Nga larg e kam parë dhe nga televiziori dhe shumë mirë duket. Pozitive është nuk diskutohet ajo, është në të mirë të popullatës. Populli mirëqenie do. Gjëja e re gjithnjë më e mirë”, – tha një tjetër.

“Është një mundësi shumë e mirë për shqiptarët. Spital i ri, mjekë të ri, staf i ri i kualifikuar. Kemi kaluar, e kemi parë është në përfundim pak a shumë. Presim të hapet”, – tha një qytetar.

“Shumë i mirë është, gjë madhështore. Shkëlqyer është. Para disa ditësh kalova tek zona. S’ke çfarë të thuash, mrekulli e madhe. E mbajti fjalën dhe hallall që na ndihmoi. Është rajonal, nuk është vetëm për Fierin ai. Sa të shkojnë nga Gjirokastra, Tepelena në Tiranë, do vijnë këtu”, – vuri në dukje një qytetar.

“Një vepër madhështore që i shërben Shqipërisë së Jugut. Në internet e kam parë dhe shumë i mirë është, shumë bukur. Me pajisjet, tani sapo pashë një video, sipas meje, sipas mendimit tim, është një investim goxha i mirë, dhuratë nga qeveria turke, natyrisht, patjetër dhe qeverisë shqiptare. Do t’i shërbejë ruajtjes dhe kujdesit të shëndetit të komunitetit”, – tha një tjetër.

“Është një ndihmë për zonën, qytetin tonë”, – u shpreh një qytetar tjetër.

“Unë gëzohem shumë që është bërë ai spital. E kam parë nga afër dhe është shumë i bukur dhe uroj të gjejnë mundësi për t’u shëruar sa më shumë njerëz”, – ishte urimi i një qytetari.

“Pavarësisht se kush e ka bërë, për kushtet tona, mua më duket si një gjë shumë e mirë. Është spital rajonal, nga qytetet përreth që kemi ne, Berat, Vlorë, Lushnjë, kuptohet që i jep një impuls. Pastaj një që do vijë atje, do shtrohet dhe ata që do e shoqërojnë pavarësisht hallit, do vijnë të pinë një kafe në qytet, po qe i ngeshëm, pavarësisht hallit mund edhe të vizitojë Apoloninë apo zonat e tjera. Uroj të kemi sa më shumë si ky. Për tre muaj është fantastike”, – tha një qytetar.

“Është fat, të mos vemi deri në Tiranë. Nga mediet e kam parë dhe është një risi në shëndetësi dhe për gjithë qytetarët. Nuk e mendoja se do kishim një spital të tillë këtu”, – tha një tjetër.

“Spital i ri i Fierit është shumë i bukur. E kam parë nga televizori, gjëja më e bukur, është një avancim që jo për Fierin, por për të gjithë jugun. Mjekët nga Turqia janë një mundësi e madhe për specializimin e mëtejshëm të mjekëve shqiptarë”, – u shpreh dikush.

“Shumë mirë, unë jam nga Kosova por jetoj këtu, se kam djalin që ka biznes. Spitali është benefit i madh për qytetin e Fierit dhe për rajonin”, – tha qytetari.

“Unë jetoj në Greqi dhe tani kam ardhur. Shyqyr që ka ardhur Edi Rama që ka bërë gjithë këto gjërat e bukura, se me Lulzim Bashën s’do kishim shanse. Spitali ka gjëra të zhvilluara dhe ka ndryshuar shumë Shqipëria me Edi Ramën, kur erdha unë para pesë vitesh ishte shumë ndryshe, tani po shoh gjërat që po bëjnë”, – tha një tjetër.

“Shkëlqyeshëm, fitore e madhe”, – u shpreh një qytetar.