Spitali Rajonal Memorial i Fierit, Degjoni për ATSH: Në 3 muaj u shërbyem mbi 10 mijë qytetarëve

TIRANË, 1 shtator/ATSH-Maela Marini/ Mbi 10 mijë qytetarë kanë marrë shërbime në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit në 3 muaj nga fillimi i funksionimit të tij.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtoresha e këtij spitali, Rudina Degjoni bëri një bilanc të 3-mujorit të parë të punës.

Sipas saj, “10 078 qytetarë janë shërbyer në 90 ditë, ose 112 qytetarë çdo 24 orë”.

“Në 3 muaj janë realizuar 3504 shërbime ambulatorike dhe 2990 shërbime imazherike 100 % falas me sistem referimi”, tha Degjoni për ATSH.

Degjoni theksoi se Spitali Rajonal Memorial Fier u ofron shërbim 550 mijë banorëve të jugut.

Ky spital do të shërbejë si qendër ekselence, ndërkohë që operohet me staf të përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk.

Në total, ai ka një ekip prej 206 punonjësish, prej të cilëve 53 janë staf turk dhe 153 staf shqiptar.

I ndërtuar në një kohë rekord, me një kapacitet prej 150 shtretërish, Spitali Rajonal Memorial i Fierit është investim i Republikës së Turqisë dhe ofron shërbime të nivelit terciar për të gjithë rajonin e jugut.

Spitali po administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptaro-turk, të cilët po punojnë për të formësuar modelin e ri të autonomisë spitalore në sektorin publik.

Spitali Rajonal Memorial Fier ofron shërbimet e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.