Spitali rajonal Memorial i Fierit, Degjoni për ATSH: Në 6 muaj u shërbyen mbi 28 mijë qytetarë

 Mbi 28 mijë shërbime janë ofruar deri tani në spitalin rajonal Memorial të Fierit, ku operohet me staf të përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtoresha e këtij spitali, Rudina Degjoni bëri një bilanc të 6-mujorit të parë të punës, ku theksoi se “për qytetarët e Jugut janë dhënë mbi 28 mijë shërbime spitalore”.

Në 6 muaj, sipas Degjonit, “janë realizuar 8171 shërbime ambulatorike dhe 7242 shërbime imazherike, 100% falas me sistem referimi”.

Po ashtu, drejtoresha e Spitalit Memorial Fier tha se janë kryer edhe 441 ekzaminime neurologjike.

Risia e këtij spitali, sipas Degjonit, është vendosja e sistemit “fast-track”, ku pacientët mund të planifikojnë vizitat online, përmes faqes web të spitalit.

Po ashtu, Degjoni tha se aktualisht po aplikohet edhe një formë e telemjekësisë, përmes lidhjes online me mjekët.

Spitali rajonal Memorial Fier u ofron shërbim 550 mijë banorëve të Jugut.

Ky spital ka një ekip prej 206 punonjësish, prej të cilëve 53 janë staf turk dhe 153 staf shqiptar.

I ndërtuar në një kohë rekord, me një kapacitet prej 150 shtretërish, Spitali rajonal Memorial i Fierit është investim i Republikës së Turqisë dhe ofron shërbime të nivelit terciar për të gjithë rajonin e Jugut.

Spitali po administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptaro-turk, të cilët po punojnë për të formësuar modelin e ri të autonomisë spitalore në sektorin publik.

Spitali rajonal Memorial Fier ofron shërbimet e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.