Historiku

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, u ndërtua në një kohë record brenda 68 ditëve si një investim i Republikës së Turqisë, dhe ofron shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut; Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Kjo qendër ekselence e krijuar për herë të parë në nivel rajonal, do të ofrojë shërbime të specializura për qytetarët dhe do të reduktojë ndjeshëm nevojën e pacientëve për të udhëtuar jashtë vendit për trajtime dhe ndërhyrje specifike. Spitali i ri i Fierit është një strukturë moderne pjesë e shërbimit spitalor publik, si dhe një pol i shërbimit të integruar shëndetësor dhe një qendër e transferimit të dijeve kërkimore dhe ndërhyrjeve me teknologji të avancuar. Spitali ështe i pajisur me 6 salla operacioni ku do të kryhen ndërhyrje komplekse kirurgjikale me metoda mini-invazive, neurokirurgjikale, kirurgji torakale, kirurgji vaskulare, endoskopi intervencionuese,  ndërhyrje me bronkoskop, ndërhyrje ortopedike nërpërmjet C-ARM dhe trajtimin e politraumave.

Për herë të parë në Spitalin Memorial të Fierit është hapur Qendra e Trajtimit të Trombolizës, e studimit të epilepsisë dhe studimit të apnesë së gjumit, duke hedhur kështu themelet e qendrës së parë ekselente të studimeve dhe kërkimeve shkencore klinike në fushën e neurologjisë.

Kjo qendër ekselence administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët turko-shqiptar, duke formësuar kështu një model të ri të menaxhimit spitalor publik ku në qendër është ofrimi i shërbimit shëndetësor cilësor për qytetarët e Jugut. 56 mjekë, infermier të specializuar dhe staf menaxherial nga Turqia punojnë, si një ekip i vetëm me 342 personel Shqiptar. Në këtë mënyrë jo vetëm garantohet transferimi i dijes por dhe krijohet një kulturë e re e punës shëndetësore, e etikës dhe humanizmit profesional.

Spitali Memorial Rajonal Fier është spitali parë ku do të implementohet autonomia spitalore, një mënyrë e re e menaxhimit spitalor. Zbatimi i kartës së autonomisë spitalore do të nisë nga Spitali Rajonal Memorial Fier pasi është një ndër spitalet me nivelin më të lartë të teknologjisë së re por edhe qendra e parë e transferimit të dijeve nëpërmjet bashkëpunimit të ekipit turko-shqiptar.